“Territorialja”, tërhiq e mos këput, PS i vendos afat PD deri në darkë, Berisha: S’kemi ikur

Nga Anesti Barjamemaj
3 Shkurt 2026, 15:07 | Politikë

Vendimi i një dite më parë nga ana e demokratëve për t’u ulur sërish në tryezën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe duke pohuar se nuk kishin bojkotuar kurrë punën në Kuvend, duket se ishte harruar. Në seancën e së martës demokratët shkuan me kërkesa të reja.

“Tërhiqeni ata projektvendim që keni futur sot pa rregull, sepse fillimisht duhet të kalonte në Konferencën e Kryetarëve. Nuk mundet PS t’i imponohet PD”, deklaroi deputetja Zhupa.

“Le të dalë këtu bashkëkryetari tjetër dhe të më sfidojë, le të thotë që mbledhja është thirrur me konsulencë, kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera. Ku është rregullorja e Parlamentit këtu, pazar jemi? Po pse noterët tuaj jemi ne që ju të bëni çfarë të doni me reformën territoriale. Kemi arsyen kryesore për të mos qenë aty me ju, ne do jemi në shesh, do japim opsionin tonë por jo me ju dhe me shumicën e imponuar nga ju”, u shpreh Boçi.

Për socialistët retorika e demokratëve ishte e pakuptueshme ndaj u dhanë kohë deri në mbrëmje për të pasur një qëndrim të qartë nëse do marrin pjesë në mbledhje apo do të vijojnë t’i bojkotojnë.

“Çfarë thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes, doli zotëria dhe unë pyeta ChatGPT për ta kuptuar se çfarë tha, por na ndihmuan djemtë dhe vajzat e medias për të kuptuar që ju jeni tërhequr nga bojkoti i reformës. Ne po ju themi që nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë, na i thoni deri në darkë”, tha Balla.

“Për inteligjencën e zotërisë parafolës, që e ka nën mesatare dhe ka nevojë për ChatGPT që të marrë informacione...”, iu përgjigj Boçi.

Pavarësisht qëndrimeve të deputetëve demokratë, Sali Berisha nga oborri i Kuvendit deklaroi se nuk ishin larguar kurrë nga Territorialja, por sipas tij edhe nëse socialistët ndryshojnë përbërjen dhe heqin paritetin, për ta nuk ndryshon asgjë.

“Të bëjnë ç’të duan. Ne jemi në komision. Duan të na përjashtojnë fare? Le ta bëjnë. Jemi, si nuk jemi. Kush tha që nuk jemi? Ne kemi qenë dhe jemi. Nuk ka asnjë diskutim. Besoni ju gënjeshtrat e Taos? E patë ju kush ishte Tao, ia lexova aty para jush. Si mund t’i besoni ju atij?”, deklaroi kreu demokrat.

Projektvendimi i për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale është pika e fundit e rendit të ditës në seancën e kësaj të marte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos