“Këta janë të lidhur me krimin”, Balliu përplaset me Yzeirajn për rolin e Policisë së Shtetit   

Nga A2 CNN
21 Shtator 2026, 21:23 | Politikë

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, akuzoi se krimi i organizuar është fuqizuar pas vitit 2013. Ai pretendoi se persona të arrestuar për lidhje kriminale janë liruar dhe janë integruar në institucione.

Në debatin në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2CNN, Balliu tha se efektivët e ndershëm të Policisë së Shtetit janë më të rrezikuar brenda strukturës sesa jashtë saj.

Ish-ministri i Rendit, Bajram Yzeiraj, kundërshtoi pretendimin se policia është e inkriminuar si institucion. Ai pranoi se ka probleme në sistem, por tha se nuk duhet të fajësohet e gjithë policia.

Balliu sqaroi se akuzat e tij lidhen me drejtimin e Policisë së Shtetit dhe jo me të gjithë efektivët, ndërsa Yzeiraj i kërkoi që, duke qenë në vendimmarrje, të ndërhyjë për ndryshimin e situatës.

DEBATI

Balliu: Nuk mund të thuash që ka 30 vjet, sepse kur kemi ardhur ne në pushtet, ai Aldo Bare kishte një komisariat të vetin atje.

Yzeiraj: Tani i vure vulën! Kur kemi ardhur ne thua ti. Nuk ndahen gjërat kështu.

Balliu: Aldo Bare është kapur prej veshi është futur në burg. Njerëz që ne kemi arrestuar, kjo mazhorancë i ka nxjerrë nga burgu i ka futur në bashki! A ka qenë rasti i Lul Berishës? Në 2013 filloi ky sistem që sot ka arritur në perfeksion. Sot efektivët e ndershëm të policisë, janë më të rrezikuar brenda policisë, se sa jashtë! Sepse eprorët e tyre marrin paratë, thasët, nga bandat.

Yzeiraj: Kurrsesi nuk pajtohem që të them që qenka gjithë organizata e policisë e inkriminuar.

Balliu: E thashë tre herë, ka efektivë të ndershëm, ku gjithë organizata është e inkriminuar.

Yzeiraj: Vërtet jam kritik ndaj policisë, por ju kërkoni t’i vishni çdo gjë policisë!

Balliu: Kryetar bashkie i lidhur me drogën, deputet i lidhur me drogën, drejtor policie me drogën.

Yzeiraj: Janë probleme të sistemit, të karakterit politik, por jo të fusni policinë në vallë dhe t’i vishni gunën e zezë, që qenka e inkriminuar. Si policia s’u shërben asnjë institucion. Ka 200 e ca dëshmorë. Kush nga juve, kush nga prokuroria e gjykata...?! Kjo është policia që t’i thua është e inkriminuar, bën gabim dhe bën një punë të keqe që ia vesh këtë kostum.

Balliu: Flas për kokën e Policisë së Shtetit. Prandaj ju thashë që në fillim që ka efektivë të ndershëm sa të duash... Janë sot më të rrezikuar brenda policisë, se sa do ishin jashtë, sepse eprorët marrin thasët me para nga droga.

Yzeiraj: Jo ka, por janë shumica, dhe shumica përbën institucionin. Rregulloje, je në vendimmarrje. Ke kontrollin e institucionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos