KLGJ kërkon ndihmë, nga harta e re te cilësia e vendimeve, PS-PD të shqetësuar me gjyqësorin

Nga Anesti Barjamemaj
7 Qershor 2024, 18:43 | Politikë

As emërimet e reja në drejtësi, as harta e re gjyqësore, mbështetja financiare apo strategjitë e njëpasnjëshme, nuk kanë zgjidhur dot problemin e stokut të dosjeve që prej vitesh presin të gjykohen.

Në një seancë 4-orëshe pyetje-përgjigje me deputetët, që hera-herës mori dhe trajtat e një debati, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Narueda Llagami, pranoi problematikat në sistemin gjyqësor dhe kërkoi më shumë mbështetje nga Kuvendi dhe qeveria.

“Duhet të jemi të gjithë bashkë, për ta luftuar. Nëse nuk jemi të gjithë bashkë, backlog nuk mund të kalojë. Ndaj kemi kërkuar ndryshime, kërkojmë mbështetje buxhetore”, tha Narueda Llagami, kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Ne sot në të gjithë nivelet e gjyqësorit kemi një situatë ku kemi një gropë në burimet njerëzore. Sot kemi dy lloj niveli backlog, kemi atë të çështjeve dhe për njerëz”, tha Oerd Bylykbashi, deputet i PD.

Mazhoranca dhe opozita lanë pas sherret politike dhe u bënë bashkë për të kërkuar përgjegjësit dhe zgjidhjet e çdo shqetësimi brenda sistemit gjyqësor. Të dyja palët politike shikojnë me shqetësim ecurinë e hartës së re gjyqësore, nga e cila pritej një zgjidhje që nuk po vjen.

“Sot harta gjyqësore është e dështuar. Por nuk është e dështuar se s’keni godina, por sepse nuk kishte asnjë strategji nga ju”, tha Dhurata Çupi.

“Besoj se ky është një problem shumë i madh, të bësh hartën, të dish që dokesh 80 gjyqtare, që do kesh 8 salla gjykimi. Dhe pastaj të pretendosh se duhet staf më shumë, a nuk kishte dhe a nuk ka për zgjidhje të ndërmjetme”, tha Fatmir Xhafaj.

Xhafaj, tashmë edhe kryetari i Komisionit të Posaçëm anti-korrupsion, kërkoi llogari për cilësinë e gjykimit.

“Ju flisni për vakanca, por ne mund të flasim për vendime të arsyetuara me shumë vonesë. Cilësia e dobët e shkrimit, 30 vjet sistem dhe në raportet e BE, në të paktën 15 vitet e fundit një kritikë nuk është hequr asnjëherë, cilësia e dobët e vendimeve”, tha deputeti.

Teksa shfletonte raportin e KLGJ për vitin 2023, demokrati Oerd Bylykbashi nuk e  fshehu pesimizmin. “Kjo është diagnozë e një sistemi që po vdes”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos