Drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ishte i ftuar në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN nga ku foli për lëvizjen, e cila sapo është finalizuar me grumbullimin e 21 mijë firmave për hapjen e listave.
Ai tregon rrugëtimin deri në këtë fazë, duke u shprehur se ka kaluar më herët të gjitha hapat, ndërsa i janë dashur 3 muaj deri në mbledhjen e firmave.
“Në nisje të rrugëtimit tonë kemi kërkua demokratizimin e vendit, i cili kalonte përmes 4 pikave. 1-Ndryshimi i sistemit zgjedhor, hapjen e listave. 2-E drejta e votës së emigrantëve shqiptarë. Kjo do të sillte një përmbysje të raporteve, që do ta zhvlerësonte shitblerjen e votës në Shqipëri. 3-Depolitizimin e administratës zgjedhore. 4-Ligji për referendumet, që qytetarët të kenë në dorë një armë juridike për të korrektuar çdo vendim në nivel vendor dhe qendror, që marrin politikanët në Shqipëri.
Për të realizuar këto pika, ne nuk u mjaftuam vetëm te fjalët, as vetëm te takimet me njerëzit, por shkruam dy projektligje, të cilat i depozituam, votën e diasporës dhe hapjen e sistemit zgjedhor. Të dyja nuk janë marrë në konsideratë nga 140 deputetët. Për të korrigjuar këtë, ne ndërmorëm atë që Kushtetuta e konsideron si detyruese për Parlamentin, detyrimin e tyre përmes 20 mijë firmave të qytetarëve.
Dolëm në terren, propozuam ndryshimet e kodit zgjedhor për hapjen e listave. Në një tur prej 90 ditësh morën 21 mijë firma, nënshkrime, të cilat ne i quajmë 21 mijë amanete, të cilat i depozituam sot në KQZ dhe referuar ligjeve, brenda 30 ditëve duhet të bëjë verifikimin e firmave dhe më pas t’ia kalojë Parlamentit për të hedhur në votim projektligjin në fjalë”, tha Lapaj.
Më tej, ai u shpreh se projektligji duhet të votohet nga deputetët pasi në të kundërt do të ishte në shkelje të dy vendimeve të Kushtetueses. Ai paralajmëroi se do të çojë në SPAK deputetët nëse do ta votojnë kundër këtij projektligji.
“Këtu ka një problem. Nëse do të votonin kundër, do të jetë praktikisht një votë kundër dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sepse do të votonin kundër dy detyrave që Gjykata Kushtetuese i ka lënë. Ne nuk po themi se projektligji jonë do të votohet 100% siç ne e kemi dërguar në KQZ. Mund të ndodhë që komisioni përkatës të adresojë edhe propozime të tjera dhe të dalë me një draft që i adreson të gjitha këto. Ne do ta çojmë deri në fund këtë çështje. Nëse nuk përmbushen detyrimet, ne do t’i drejtohemi Prokurorisë së Posaçme për veprën penale të shpërdorimit të detyrës prej tyre.
Nëse nuk reflektohen këto ndryshime, ne nuk do t’i lëmë që zgjedhjet të bëhen në mënyrë antikushtetuese, ne do ta çojmë deri në fund, deri në kallëzime penale për shpërdorim detyre për shkak të dëmit ekonomik që mund të vijë”, tha Lapaj. (A2 Televizion)