"Kodi penal shqiptar ka masa të forta për drogën"- Gjoni: Dënohesh 2 herë më shumë se në vendet e BE

Nga A2 CNN
28 Janar 2026, 21:28 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka deklaruar se Kodi Penal shqiptar parashikon masa ndëshkuese shumë më të ashpra për veprat penale që lidhen me drogën, krahasuar me shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Gjoni u shpreh se për të njëjtat vepra penale, dënimet në Shqipëri janë pothuajse dyfish më të rënda se në shtete si Gjermania, Spanja apo Holanda.

Sipas tij, ndryshimet e vazhdueshme në Kodin Penal, të ndërmarra nga ministrat e Drejtësisë ndër vite, janë bërë shpesh me nxitim dhe pa analizë të thelluar juridike. “Çdo ministër që ulet në karrigen e Drejtësisë e sheh si arritje kryesore ndryshimin e Kodit Penal, por këto ndërhyrje të shpejta shpesh çojnë në gabime,” u shpreh Gjoni.

Ai theksoi se megjithëse justifikimi zyrtar është përafrimi me direktivat europiane, në praktikë Shqipëria ka ndëshkime shumë më represive, veçanërisht për veprat që lidhen me trafikimin dhe përdorimin e lëndëve narkotike. Gjoni shtoi se kjo është arsyeja pse shumë shtetas shqiptarë të dënuar jashtë vendit preferojnë të gjykohen në shtetet ku janë arrestuar.

“Rreth 80 për qind e shqiptarëve që vuajnë dënime jashtë Shqipërisë nuk kërkojnë transferim, sepse e dinë që në vendet e BE-së dënimet për drogën janë më të lehta se në Shqipëri,” deklaroi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos