“Veliaj, votues fiktiv”, PD ankesë në KQZ: Transferimi në Durrës, jo sipas ligjit

Nga Ervin Koçi
8 Prill 2025, 15:13 | Politikë

Partia Demokratike e konsideron në shkelje të ligjit transferimin e Erion Veliajt si votues në Durrës. Për këtë, kërkon nga KQZ informacion mbi mënyrën se si kryebashkiaku i Tiranës është bërë pjesë e listës së zgjedhësve në qarkun ku ndodhet në paraburgim. Në mbledhjen e radhës të Komisionerit Shetëtor të Zgjedhjeve, përfaqësuesi ligjor i PD u shpreh se kjo lëvizje është pjesë e një përpjekjeje për krijimin e listave me votues fiktiv në burgje. 

Lajmi i publikuar në A2 CNN për transferimin e Erion Veliajt si votues në burgun e Durrësit, ishte ndjekur nga demokratët të cilët kërkuan në KQZ informacione mbi këtë transferim, që e konsiderojnë në shkelje të ligjit.

Sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ, Franci Nuri, kryebashkiaku i Tiranës, nuk mund të jetë votues në Durrës, duke pretenduar krijimin e listave me votues fiktiv nëpër burgje: “Jo më larg se dje patëm në media rastin e publikuar të Erion Veliajt. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor e thotë qartë që kanë të drejtë të votojnë vetëm personat që kanë vendbanimin. Nuk ka as vendqëndrimin 3-mujor në një vend të tillë”.

Ankesa e PD-së duket se u mor në konsideratë nga Celibashi i cili tregoi se kujt i takoi përgjegjësia e hartimit të listës: “Edhe pse kjo është një përgjegjësi e drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore, kryetarëve të bashkisë, do t’ua risjellim atyre në vëmendje kërkesat e ligjit në lidhje me hartimin e listave të zgjedhësve në këtë rast”.

Çështjet për Tiranën vijuan në KQZ me vendimin e Celibashit për t’i propozuar KAS gjobitjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, për mosraportim të takimit të stafit të bashkisë me kryeministrin në sheshin Skënderbej, zhvilluar më 20 shkurt, pak ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos