Kos viziton në shkurt Shqipërinë, eurodeputetët: Vëmendje tek zgjedhjet dhe përfshirja e opozitës

Nga A2 CNN
14 Janar 2025, 14:52 | Politikë

Gjatë raportimit të saj në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, komisioneres për zgjerimin Marta Kos, ju ka kërkuar prej eurodeputetëve të ketë në vëmendje situtatën politike në Shqipëri dhe zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin maj.

Gjermani Michael Gahler, pjesëtari i grupit të Partive Popullore Europiane, i kërkoi të kishte në vëmendje atë që e cilësoi si sjellje gjithnjë e më egocentrike të kryeministrit Edi Rama. Më shumë fokus tek zgjedhjet në Shqipëri dhe ndikimi i tyre në procesin e zgjerimit kërkoi Alberico Gambino, i grupit të konservatorëve dhe reformistëve europianë, shkroi A2.

Ndërsa Andrej Kovaçev, nga grupi i Partive Popullore Europiane, i bëri thirrje komisioneres së re të sigurohet për më shumë përfshirje të opozitës në Shqipëri: “Ju lutem, kur të shkoni në Shqipëri flisni me një spektër të gjerë të palëve të interesuara. Kryeministri atje po shfaq sjellje egocentrike në mënyrën se si po e ushtron pushtetin e tij, e cila nuk është në një linjë me standardet e BE. Ju lutem, shiheni me kujdes Shqipërinë specifikisht”. 

Me zgjedhjet e përgjithëshme që po afrohen në Shqipëri në muajin maj të këtij viti do të ishte e dobishme që komisioni të mendonte se çfarë duhet bërë për të shmangur ndërhyrjet nga jashtë. dhe duhet të shohim një veprim të koordinuar që proceset në Shqipëri të zhvillohen siç duhet.

“Gjëja më e rëndësishme aktualisht është të mundësohet një proces zgjedhor demokratik me përfshirjen e opozitës dhe të gjitha palëve të tjera. Më vjen mirë që do të zhvilloni takime me ta”, theksoi Kovaçev. 

Duke kujtuar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë pretendentët kryesorë për t’iu bashkuar bllokut, Kos garantoi eurodeputetët se sundimi i ligjit, demokracia dhe reformat e brendshme do të jenë në qendër të procesit të negociatave, që do të vijojë të bazohet në meritokraci. Duke njoftuar se gjatë shkurtit do të vizitojë Shqipërinë, ajo tha se do të takohet edhe me pjesëtarët e opozitës, përfshirja e të cilëve bashkë me shoqërinë civile, është e domosdoshme. Kos tha se do të mbështesë objektivin e Shqipërisë për të përmbyllur procesin e negocimit deri në fund të 2027, ndërsa shprehu pritshmërinë se presidenca polake do të bëjë atë që nuk është bërë në 10 vite sa i përket zgjerimit: “Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë sesa që kishim në dhjetë vjetët e fundit. Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos