Hoxha takon ambasadorët e BE-së: Dialog për protestat, theksi te shteti i së drejtës dhe integrimi evropian

Nga A2 CNN
26 Tetor 2026, 16:38 | Politikë

Hoxha takon ambasadorët e BE-së: Dialog për protestat, theksi te

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale Hoxha shprehet se në fokus ishin zhvillimet e fundit në vend, liritë demokratike, shteti i së drejtës dhe procesi i integrimit evropian.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në diskutime u trajtua edhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit institucional, respektimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit të ligjshmërisë e proporcionalitetit në veprimet e autoriteteve publike.

Reagimi:

Ministri Hoxha takon ambasadorët e BE-së: Liritë demokratike dhe shteti i së drejtës, në themel të rrugës evropiane të Shqipërisë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha nënvizoi angazhimin e palëkundur të Qeverisë ndaj lirive demokratike, përfshirë të drejtën themelore për manifestim paqësor. Ai theksoi se dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike apo private nuk mund të pranohen si mjete legjitime të shprehjes politike apo të çfarëdo forme tjetër të shprehjes, një parim që vlen si në Shqipëri ashtu edhe kudo tjetër në Evropë.

Në diskutime u trajtua gjithashtu rëndësia e ruajtjes së stabilitetit institucional, respektimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit të ligjshmërisë e proporcionalitetit të të gjitha veprimeve të autoriteteve publike.

Ministri Hoxha rikonfirmoi gatishmërinë e Qeverisë për dialog në çdo kohë, kudo dhe me këdo që nuk është i përfshirë në akte dhune. Ai e cilësoi dialogun si një vlerë demokratike dhe mënyrën më të mirë për të kapërcyer dallimet, për të adresuar shqetësimet dhe për të ecur përpara së bashku.

Duke u ndalur te procesi i integrimit evropian, Ministri theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik kombëtar.

“Momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë tonë dhe jo të na shmangin nga reformat, standardet demokratike dhe përgjegjësitë që burojnë nga ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Ministri Hoxha vlerësoi shkëmbimin e hapur me partnerët evropianë dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm me Shqipërinë në funksion të synimit të përbashkët për një të ardhme në Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos