
Grupi Parlamentar demokrat kërkon interpelancë urgjente me Ministrin e Energjisë, lidhur me masat për përballimin e një krize të mundshme energjetike dhe garantimin e furnizimit me karburant. Kërkesa drejtuar kreut të Kuvendit mban firmën e deputetit Enno Bozdo dhe 6 deputetëve të tjerë demokratë.
Deputetët demokratë theksojnë se situata ndërkombëtare, e ndikuar nga konflikti në Iran, ka sjellë rritje të shpejtë të çmimeve të energjisë, veçanërisht të naftës. Ata i referohen edhe paralajmërimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dhe institucioneve të Bashkimit Evropian për përgatitje ndaj ndërprerjeve të mundshme në furnizim.
Sipas kërkesës, Shqipëria duhet të marrë masa konkrete për menaxhimin e rezervave të sigurisë, garantimin e furnizimit me karburant dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, në kushtet e një situate që po zhvillohet me shpejtësi dhe konsiderohet emergjente.
“Nisur nga fakti që Kryeministri ka folur për një model të ri për mbajtjen e Rezervës energjetike të sigurisë si dhe për themelimin e një kompanie shtetërore që do të hyjë në tregun e tregtimit të naftës dhe derivative të saj; Nisur nga fakti që situate ndryshon me shumë shpejtësi dhe kemi hyrë në një emergjencë të vërtetë të përballjes me këtë krizë. Shqipërisë i dalin përpara detyra të mëdha për përgatitjen për një krizë energjetike e cila do të kërkonte angazhim të madh shtetëror, e veçanërisht masa konkrete të Ministrisë së Energjetikës për çështje të garantimit të furnizimit me karburant, të menaxhimit të duhur të Rezervës së Sigurisë dhe të koordinimit institucional me BE dhe IEA”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e PD. (A2 Televizion)