
Ish-ministri i Jashtëm Edmond Panariti, i ftuar në studion e “Ditarit të pasdites” nga Pandi Gjata, deklaroi se sa i përket kufirit detar me Greqinë, Haga “mund të prodhojë veprim të dhimbshëm për ne”.
“Çështja më madhore është ajo e kufirit detar. Me sa kam kuptuar, çështja do i lihet Gjykatës së Hagës, por deri tani nuk kemi asnjë hap ekzekutiv. Pala shqiptare deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Megjithatë, të marrim hipotezën që çështja do të kalojë në Hagë. Së pari, Haga është gjykatë arbitrazhi që mund të prodhojë veprim të dhimbshëm për ne, që nuk kemi as të drejtë ta apelojmë”, tha Panariti.
Sipas tij, vendimi mund të jetë i dhimbshëm për ne sepse “duhet të bëjmë kujdes, pasi Greqia mund të kërkojë që ishujt të kenë të njëjtën ekuivalencë me pjesën kontinentale sa i përket matjeve”.
“Shqipëria në këtë rast humb sipërfaqe të mëdha ujore. Marrëveshja e mëparshme u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pikërisht për këtë arsye. Bushati, në vitin 2012, arriti një marrëveshje ku Shqipëria rimerrte 40 km katrorë sipërfaqe, por ajo nuk u ratifikua nga Parlamenti grek. Mbeti draft ajo marrëveshje. Tani, duke kaluar paketën e detit në Hagë, rrezikon të humbasë edhe këtë marrëveshje. Në këndvështrimin tim nuk duhet ta çojmë të plotë çështjen e kufirit me Greqinë në Hagë. Kam rezervat e mia për aftësitë e palës sonë në Hagë, sa i përket përgatitjes me dokumenta për çështjen e kufirit. Kam bindjen se Greqia në Hagë do ngrejë pretentimin që matja të bëhet nga ishujt”, shtoi Panariti. (A2 Televizion)