Kulla te Tajvani, Berisha: Jam në mënyrë kategorike kundër, PD po mbledh firmat për peticion

Nga A2 CNN
3 Tetor 2026, 13:24 | Politikë

Kulla te Tajvani, Berisha: Jam në mënyrë kategorike kundër,

“Jam në mënyrë kategorike kundër kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani”. Këtë përgjigje i dha kreu i selisë blu Sali Berisha një qytetareje në rrjetet sociale, kur u pyet në lidhje me projektin e ri të prezantuar dje nga kryeministri Rama. Duke sjellë në vëmendje vitet e qeverisjes së tij Berisha tha se nuk ka dhënë leje për asnjë kullë në kryeqytet dhe vend.

“Së pari, dua t'u garantoj se unë kam qenë, jam dhe do të jem kundër çdo kulle. Por në rast se rikthehesh në periudhën 2005-2013, ju do gjeni se Sali Berisha nuk ka dhënë leje për asnjë kullë dhe ju do gjeni se në ato tetë vite në Tiranë dhe në Shqipëri, nuk është ndërtuar asnjë kullë e vetme. Pra, një njeri që nuk lejoi, nuk miratoi ndërtimin e asnjë kulle, do të thotë se ka një qëndrim të qartë kundra tyre. Jam në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani dhe shkatërrimit të tij”.

Berisha tha se PD po mbledh firma për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit dhe se do të mbështesë protestat kundër projektit.

“Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit, sikundër ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm çdo protestë kundër ndërtimit të saj. Por edhe një herë, për ne kullat janë monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit. Unë jam kundër tyre dhe kam qenë kundër tyre dhe nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi. Dhe në planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës, të miratuar në atë kohë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nuk ka pasur asnjë ndërtesë mbi tetëkatëshe, në asnjë zonë”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos