“Edi Rama e ka të qartë si drita e diellit se në pushtet nuk mund të qëndrojë më. Duhet të jemi të vërtetë. A bëhen zgjedhje në Rusinë e Putinit? Bëhen, tani ka shpallur kandidaturën. A bëhen zgjedhje në Bjellorusi? Bëhen. A bëhen zgjedhje në Mianmar? Bëhen. Në Venezuelë bëhen. Por opozita nuk fiton. Askush nuk mendon se Putini mundet me zgjedhje. Askush nuk beson se junta ushtarake mundet me zgjedhje. Do të ishte një vetëmashtrim i madh në qoftë se mendojmë se e mundim me zgjedhje Edi Ramën. Jo! Kurrë”.
Kështu u shpreh Sali Berisha këtë të shtunë në një takim të zhvilluar në seli, “Gratë në Aksion për Shqipërinë - O sot, o kurrë”. Ai theksoi se më tej se do të bëhet gjithçka dhe do të përdoret çdo mjet i mosbindjes civile për të rrëzuar Edi Ramën.
“Do të ishte absurde nëse mendojmë se ditën e votimit do rrëmbejmë armët për të vrarë, për të asgjësuar kriminelët që nuk lejojnë votimin. Do të ishte jorealiste nëse mendojmë se ditën e votimit do të bllokojmë thasët e parave që përdoren për të blerë votat. Këto nuk mund t’i bëjmë ne, por ajo që mund të bëjmë ne është rrëzimi i Edi Ramës. Ne do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Edi Ramën. Pra, thashë një kohë kthese reale, një kohë kthese në vendimin e çdo njeriu, të vendosësh të luftosh një diktaturë është një vendim hyjnor për nga rëndësia e tij. Por të vendosësh të luftosh një diktaturë do të thotë të mbrosh të vërtetën, i gatshëm për sakrifica, duke bërë gjithçka në funksion të saj. Kjo është ajo pra çfarë kërkon kjo kohë e dytë për ne, për përmbysjen e diktaturës së dytë.
Kjo kërkon që secila nga ju, të bëjë gjithçka me të gjithë rrethin e saj, me të gjithë njohjet e saj, se armën më të fuqishme e kemi ne. Arma më e fuqishme e jona janë qytetarët, janë e drejta, e vërteta. Duhet të bëjmë gjithçka, por duhet të prijmë vetë me shembullin tonë. A mundet diktaturat të na rezistojnë ne? Absolutisht kurrë”, tha Berisha. (A2 Televizion)