Festimet zyrtare të 28 Nëntorit nuk kanë bashkuar qeverinë me opozitën. Pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të zhvilluar nga krerët e shtetit shqiptar, në Vlorë ka shkuar edhe Sali Berisha.
I pashoqëruar nga deputetë të tij, Berisha ka vendosur kurorë në monumentin e Ismail Qemalit.
As në këtë ditë, Berisha nuk i ka kursyer akuzat për kryeministrin Edi Rama.
“Unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin. Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori. Dhe ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç", tha Berisha.
Nga ana tjetër, ai pohoi se nuk pati asnjë ftesë nga qeveria shqiptare për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare, por shtoi se edhe nëse do e kishte, nuk do të kishte pranuar.
“Nuk kisha ftesë, por me Pashiqin te varri i Ismail Qemalit nuk mund të vija kurrë”, shtoi Berisha.
Berisha komentoi edhe prezencën e Albin Kurtit krah Edi Ramës, ku deklaroi se “ndonjëherë duhet t’i thuash derrit dajë”. (A2 Televizion)