“Kush i kontrollon rojtarët?!” Dedaj: Askush nuk ja ka bërë këtë pyetje SPAK-ut

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 21:38 | Politikë

Gazetari Reldar Dedaj, në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, ka bërë një analizë të fortë dhe kritike mbi zgjedhjet, raportin e ODIHR-it dhe rolin e institucioneve të drejtësisë, duke e cilësuar situatën në Shqipëri jashtë standardeve të një shteti demokratik.

Sipas Dedajt, raporti i ODIHR-it për zgjedhjet është “më i ziu që është bërë ndonjëherë”, pavarësisht përpjekjeve të mediave për ta relativizuar përmbajtjen e tij.

“Me një fjali, raporti i ODIHR-it t’i ka rrëzuar zgjedhjet në tokë. Aty thuhet qartë se vija ndarëse mes partisë dhe shtetit ishte aq e hollë, sa ishte pothuajse e pamundur të ndahej”, u shpreh Dedaj.

Ai theksoi se ky konstatim është thelbësor dhe, në vetvete, mjafton për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit zgjedhor.

“Kur partia dhe shteti funksionojnë si një, zgjedhjet bien. Kjo në një shtet demokratik nuk mund të ndodhë kurrë. Këtu nuk jemi më në logjikë demokratike, por në logjikën e një sistemi autokratik që ka mbërthyer institucionet dhe ka zhdukur kufijtë mes tyre”, tha ai.

Dedaj ndali edhe te parimi i ndarjes së pushteteve dhe kontrolli mbi institucionet, duke iu referuar shprehjes së famshme latine kush i kontrollon rojtarët.

Në këtë kuadër, ai ngriti pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohet SPAK-u në diskursin publik.

“Unë kam qenë ndoshta ndër më entuziastët për SPAK-un, por ka një pyetje që nuk e shoh askund: a ka ceduar ndonjëherë një prokuror? A ka pranuar ndonjëherë SPAK-u se ka gabuar? Gazetarët nuk ia bëjnë këtë pyetje”, u shpreh Dedaj.

Sipas tij, struktura e posaçme trajtohet si e pagabueshme, pa asnjë filtër kritik, ndërsa gabimet, sipas Dedajt, ekzistojnë dhe duhen adresuar.

“Po ju them unë ku ka gabuar: te inceneratorët”, deklaroi ai. Deklaratat e Dedajt hapin sërish debatin mbi standardet zgjedhore, raportet ndërkombëtare, funksionimin e drejtësisë dhe mungesën e kontrollit real mbi institucionet kyçe në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos