
Kandidati i pavarur dhe i mbështetur nga opozita për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të gjykatës kushtetuese e cila i dha të drejtë Erion Veliajt dhe rrëzoi dekretin e presidentit Begaj për zgjedhje në Tiranë.
Binaj shprehet se do të kandidojë për drejtimin e bashkisë më të madhe në vend, kurdo që zgjedhjet të mbahen.
“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim.
Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë.
Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë.
Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë”, shkruan Binaj. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   