“Mashtruan se LaCivita do sjellë 9 mld euro që Shqipëria të shkëputet nga BE”, Berisha: Gonzato përçon propagandën e Ramës

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 13:47 | Politikë

“Mashtruan se LaCivita do sjellë 9 mld euro që Shqipëria

Sali Berisha, në një deklaratë për gazetarët, ka akuzuar sërish ambasadorin e BE Gonzato se është “përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës” dhe se po shpërndan dezinformim në institucionet europiane.

Berisha u shpreh se opozita po përballet me “sulme të targetuara” nga disa individë që mbajnë funksione në Komisionin Europian ose përfaqësojnë BE-në në Tiranë. Ai tha se qëndrimet e Gonzatos janë “të ngjashme, por jo identike” me ato të Marta Kos, të cilat PD i ka kundërshtuar publikisht.

Sipas tij, ambasadori u ka thënë eurodeputetëve se Berisha “nuk është pro-perëndimor” dhe se axhenda e tij është MAGA, deklaratë që kryedemokrati e quajti trillim dhe mashtrim politik. “PD ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj integrimit europian. Të gjitha integrimet e mëdha të Shqipërisë janë vepër e kësaj partie”, tha Berisha.

Ai theksoi se politika fiskale e qeverisjes së tij ka qenë ndër më konservatoret në Europë, duke kujtuar TVSH-në e ulët dhe taksat minimale. “Nëse ka përputhje me vlerat konservatore, ne jemi krenarë për këtë. Nuk mund askush nga ekstremizmi i majtë të bëjë gjah shtrigash ndaj nesh”, u shpreh ai, shkruan A2 CNN.

Një tjetër akuzë e Berishës kishte të bënte me pretendimin e shpërndarë në Bruksel se këshilltari amerikan Chris LaCivita do sillte “një çek prej 9 miliardë eurosh” për Shqipërinë nëse vendi largohej nga BE. “Shqiptarët duhet ta dinë se këto janë shpifje të turpshme, propagandë e Edi Ramës e përcjellë në kancelaritë europiane”, deklaroi ai.

Berisha shtoi se SHBA mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe se narrativat e kundërta janë krijime politike të mazhorancës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos