
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, është takuar me të ngarkuarën me punë të SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn, shkruan A2 CNN.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi pasur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike”, tha Bardhi në një postim në Facebook, shoqëruar me disa foto nga takimi.
“Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit. E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”. (A2 Televizion)
