Kuvendi me 11 komisione të gjithë presin qeverinë e re, Rama ikën në Slloveni

Nga Fjorela Beleshi
26 Gusht 2025, 19:17 | Politikë

Socialistët duhet të presin shtatorin për t’i dhënë fund ankthit se kush nga ata do të jetë në ekipin e Rama 4!

Shefi i mazhorancës Edi Rama ende nuk e ka thirrur Asamblenë,  por në zyrën në Kryeministri prej dy ditësh vijon të presë dhe përcjellë vartësit e tij politik.

Në ditën e dytë të punës pas kthimit nga pushimet e verës, në selinë e qeverisë ka patur hyrje-dalje të shumta, nga ministrat e kabinetit deri të ish-ministra, si në rastin e Ervin Metes, i shoqëruar me Delina Ibrahimaj.

Nuk kanë munguar edhe emra të rëndësishëm të kabinetit aktual nga numri dy i qeverisë Belinda Balluku deri tek Ministri i Financave. Petrit Malaj.

Por në të njëjtën kohë me ta në Kryeministri është parë edhe ish-presidentit i Kosovës, sipërmarrësi Behgjet Pacolli, i cili po ndërton Aeroportin e Vlorës.

A2CNN ka mësuar se të hënën Edi Rama ka patur në zyrë edhe përfaqësuesit e PS në Kuvend me në krye, drejtuesen Elisa Spiropali. Për ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse ajo do ta drejtojë sërish apo jo Parlamentin në Legjislaturën e re, pavarësisht se në takimet e saj me diplomatë dhe homologë nuk e ka fshehur optimizmin e saj për të patur një mundësi të dytë për të njëjtën karrige.

Sipas të njëjtave burimeve, Kryeministri ka diskutuar me ta rolin e Kuvendin për integrimin dhe idenë e mazhorancës për të patur 11 komisione të përhershme, një prej të cilëve do të jetë edhe Komisioni i Fatmir Xhafajt.

Për ta bërë realitet këtë propozim duhet të ndryshohet Rregullorja e Kuvendit, dokumenti në të cilën shkruhen rregullat e përbashkëta të lojës politike për funksionimin e këtij institucioni.

Socialistët jo vetëm që kanë votat e mjaftueshme, por edhe precedentin e vendosur që mund të miratojnë ndryshimet në Rregullore edhe në mënyrë të njëanshme, pa konsensusin e opozitës.

Për socialistët vapa nuk do të ikë me gushtin, pasi i vetmi që do të largohet do të jetë Kryeministri Rama, i cili do të marrë pjesë në forumin e Bledit në Slloveni, i cili zhvillohet në datat 1-2 shtator. Pas rikthimit të tij pritet të kristalizohet ideja për datën e Asamblesë, në fillim të javës së parë apo në mesin e javës së dytë të shtatorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos