Berisha akuzon Ramën: Po asgjëson institucionet kushtetuese dhe po synon pronat e ushtrisë

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 13:36 | Politikë

Berisha akuzon Ramën: Po asgjëson institucionet kushtetuese dhe po

Kreu demokrat Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, përmes projektligjit të ri për administratën shtetërore, po synon të asgjësojë institucionet kushtetuese dhe të përqendrojë pushtetin në duart e tij. Në një konferencë me gazetarët, Berisha theksoi se ndryshimet ligjore parashikojnë përfshirjen e forcave të armatosura, universiteteve publike dhe përfaqësive diplomatike në administratën shtetërore, duke i vendosur ato nën kontrollin e drejtpërdrejtë të kryeministrit.

“Fusha e veprimit për institucionet e arsimit të lartë është një ndarje mes këshillit të ministrave, presidentit të Republikës dhe bordeve. Fusha e veprimit mes forcave të armatosura është një ndarje midis shefit të shtabit të përgjithshëm, presidentit të Republikës dhe kryeministrit. Në qoftë se ti merr dhe i fut këto dinakërisht në ligjin për administratën shtetërore, por që kanë për zot kryeministrin e vendit, ti faktikisht asgjëson këto si institucione kushtetuese dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh, por që ky nuk e ka për gjë që të marrë policinë ushtarake dhe ta çojë të bllokojë një televizion në një akt antikushtetues. Në një keqpërdorim absolut antikushtetues të forcave të armatosura. Por ka një president që për bëmat e tij dhe gjëmat e tij është i paqenë”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu Ramën se synon të kontrollojë pronat e ushtrisë, duke e cilësuar këtë si një akt mafioz dhe kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Pronat e ushtrisë, të cilat ndahen në dy grupe, njëri grup i pronave të ushtrisë që është në funksion të planit të shpërndarjes, ato janë të paprekshme. Janë të patjetërsueshme. Për sa kohë mbahen në planin e shpërndarjes. Plani i shpërndarjes së forcave të armatosura përbën sekretin më të rëndësishëm aktual të forcave të armatosura. Ai plan firmoset nga presidenti dhe mbahet nga ai dhe shefi i shtabit. Siç është faktuar, gjatë këtyre viteve të fundit janë dhuruar nga Edi Rama biznesmenëve të afërt me të dhe ortak me të, porte ushtarake, prona ushtrie të panxjerra nga presidenti i Republikës, pa u pyetur fare presidenti i Republikës.Përbën një krim të rëndë që mbrohet nga Altin Troplini”, tha Berisha.

Sipas tij, përfshirja e ushtrisë në administratë legjitimon keqpërdorimin e saj për interesa politike dhe private, duke minuar ndarjen e pushteteve dhe duke rrezikuar sigurinë kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos