Socialistët duhet të presin shtatorin për të mësuar nëse do të jenë pjesë e ekipit “Rama 4”, pasi kryeministri ende nuk e ka thirrur zyrtarisht Asamblenë e PS.
Sipas traditës aty Rama ka zbuluar emrat e ministrave të rinj, por deri më tani nuk kemi një datë, edhe pse që prej ditës së djeshme kur është rikthyer në punë pas pushimeve të verës, shefi i qeverisë ka pritur e ka përcjellë në zyrë vartësit e tij.
Aty janë paraqitur ditën e djeshme numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi. Ndërkohë ditën e sotme, Rama ka pritur në zyrë thuajse të gjithë ministrat e tij, prej orëve të para të mëngjesit.
A2 CNN mëson se në mesditë në Kryeministri ka hyrë edhe ish-Presidenti i Kosovës, biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli, kompania e të cilit është duke ndërtuar aeroportin e Vlorës.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi raporton se Rama ka diskutuar me të vetët më shumë sesa për emra të përveçëm, për strukturën e re të Komisomeve Parlamentare, pasi socialistët do të propozojnë që të ketë ndryshime.
Mësohet se socialistët synojnë që me legjislaturën e re të kemi 11 komisione të përhershme parlamentare. Edhe komisioni Antikorrupsion i zotit Xhafaj do të propozohet nga mazhoranca që të jetë i përhershëm, por të njëjtin fat nuk do ta ketë Komisioni i Dezinformimit, që është drejtuar nga Erion Braçe.
Nga burime brenda PS mësohet se ideja për ndarjen e re të Komisioneve dhe për të shtuar numrin e tyre ka të bëjë me negociatat e grupkapitujve, sepse duhet t’i shkojë për shtat negociatave me BE-në. Për të bërë realitet këtë propozim të socialistëve duhet të ndryshohet edhe rregullorja e Kuvendit. (A2 Televizion)