Nga konferenca e FBI-së që zhvillohet në Tiranë, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kërkoi që të mos ketë vetëkënaqësi për rezultatet e arritura në luftën kundër krimit.
Demo tha se agjencitë ligjzbatuese nuk duhet të pushojnë në asnjë moment dhe kërkoi më shumë bashkëpunim.
“Rezultatet e arritura janë të rëndësishme, por në luftën kundër krimit nuk ka për asnjë sekondë pushim dhe aq më pak vetëkënaqësi. Prandaj, ne padyshim që duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë.
Duke ecur përpara, roli i institucioneve që përfaqësohen sot në këtë sallë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse, siç thuhet në SHBA, fuqia jonë kolektive është e barabartë me fuqinë e hallkës më të dobët të zinxhirit kur të gjithë bëjnë pjesën e tyre.
Asnjëri nuk mund të mbetet pas dhe Policia e Shtetit, Prokuroria, SPAK-u, Byroja Kombëtare e Hetimit, institucionet e drejtësisë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë pjesë e një arkitekture bashkëpunimi, ku secili ka përgjegjësinë e vet, por ku rezultati varet nga aftësia jonë për të punuar së bashku”, tha Demo. (A2 Televizion)