Kreu i SPAK-ut, Klodjan Braho, pohoi se Struktura e Posaçme ka bërë përparime në luftën kundër krimit, ku tashmë ka në duar shumë informacione se si organizohen grupet kriminale.
“Në Shqipëri kemi bërë përparim me hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë proces. Me hetimet tona kemi fituar njohuri mbi mënyrën se si organizohen grupet kriminale, si krijojnë lidhje përtej kufijve dhe se si fshehin dhe lëvizin përfitimet e tyre.
Këto njohuri mund të ndihmojnë edhe hetimet që zhvilloni në vendet tuaja. Për së paku, bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve me të njëjtin seriozitet që presim për kërkesat tona.
Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj. Një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri”, tha Braho në fjalën e tij në konferencën e FBI në Tiranë. (A2 Televizion)