Lapaj: Do e çojmë vendin në referendum

Nga A2 CNN
16 Maj 2026, 22:01 | Politikë

Adriatik Lapaj, kryetar i “Shqipëria bëhet”, deklaroi se protesta “do vazhdojë me një akt politiko-juridik”.

“Protesta nuk është mbyllur. Është ridimensionuar. Është rrugëtim. Sigurisht që unë do të doja që masiviteti dhe përballja të kishte qenë aty dhe përfundimtare me këta që e drejtojnë Shqipërinë në mënyrë banditeske. Por, këtë nuk e kam unë në dorë, as ne. E ka gjithë popullata, realiteti social-kulturor ku jetojmë, shoqëria dhe momenti. Që kur dolëm thamë që do ta ridimensionojmë protestën. Për këtë arsye protesta do vazhdojë tani me një akt politiko-juridik. Ne i jemi drejtuar KQZ-së për të marrë formularët, për të çuar vendin në referendum sa i takon dy nga ligjeve të cilat kanë prodhuar problemet më të mëdha në 10 vitet e fundit, që është ligji për investimet strategjike dhe ligji për paketën e maleve, që pritet të aplikohet dhe të krijojë dëme shumë të mëdha në shoqëri”, tha Lapaj në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

“Dhe për këtë arsye i jemi drejtuar KQZ-së, na është miratuar formulari, jemi duke bërë përgatitjet logjistike këto ditë dhe prej javës tjetër ne do të nisim në terren një rrugëtim pa ndalim për tetë muajt që vijnë për të mbledhur 100.000 firma, 50.000 për çdo ligj, dhe do ta çojmë vendin në referendum. Ne synojmë këtë gjë. Kështu që, protesta jonë do të përkthehet tashmë në një protestë që synon ta çojë vendin në referendum që qytetarët, përmes votes, për herë të parë pas 28 vitesh që nga Kushtetuta e vitit 1998, referendumi për miratimin e Kushtetutës, të shkojë në një referendum shfuqizues të dy ligjeve që, siç e keni parë, kanë krijuar debat të madh dhe problem”, shtoi Lapaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos