Partia Demokratike prezantoi programin për sigurinë. Në tryezën me këtë fokus, kreu demokrat Sali Berisha deklaroi se siguria publike dhe lufta kundër krimit do të jenë prioritet i programit të opozitës.
Kryetari i PD njoftoi ngritjen e një agjencie të posaçme për hetimin dhe konfiskimin e pasurive të krimit, shkruan A2.
“Me programin tonë kam bindjen më të madhe se do rikthejmë në Shqipëri shtetin ligjor. Do presim me gërshërët e çelikta të ligjit të gjitha lidhjet e krimit me pushtetin. Do godasim me forcën më të rreptë të ligjit krimin. Cilido qoftë ai, me një agjenci të veçantë do konfiskojmë, do hetojmë të gjitha pasuritë e krimit. Do pastrojmë institucionet nga krimi. Zero tolerancë. Një veting i plotë i të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit, policisë, shërbimit inteligjent. Segmente të tëra bashkëpunojnë me krimin dhe do rivendosim si prioritet absolut sigurimin e jetës, veprimtarisë, të dhënave të qytetarëve shqiptarë, të shoqërisë shqiptare, do qëndrojmë fuqishëm kundër terrorizmit, do vendosim lidhjet më solide me të gjitha agjencitë ndërkombëtare në rivendosjen përfundimtare të sigurisë dhe rendit në Shqipëri”, tha Berisha. (A2 Televizion)