Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale-Administrative ka vijuar diskutimet me dëgjesën e gjashtë të radhës.
Përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës u ndalën në Shkodër, ku theksuan nevojën për bashki të forta, mundësinë e financimit nga BE dhe shërbimet më afër qytetarëve.
“Disa ekuilibra që kërkojmë rregullisht të gjithë palët, edhe kur janë të majtë, djathtë, pro apo kundër 2014-s, thonë: “I duam bashkitë më të forta, i duam bashkitë dhe më autonome”. Që janë të dyja kërkesa shumë të drejta, por ama, kur neve i kërkojmë që bashkitë të kenë kompetenca. Duke e parë njëri-tjetrin në sy, duhet të themi që kompetencat vijnë bashkë me një gjë tjetër. Vijnë bashkë me kompetentët, me ata që dinë ta bëjnë funksionin. Nëse ne themi që bashkia do të bëjë shërbimin social, duhet të ketë ekspertë që dinë si bëhet shërbimi social; Nëse ne themi që bashkia duhet të bëjë politikë strehimi, do të thotë që ne na duhet të kemi ca njerëz që dinë si bëhet një politikë strehimi. Nuk thashë që është kërkesë e Bashkimit Europian ta bëjmë reformën. Thashë që si rrjedhojë e faktit që ne futemi në Bashkimin Europian, bërja e reformës na jep mundësinë që t'i shohim hajrin anëtarësisë në Bashkimin Europian me bashki të forta, që kanë mundësi të tërheqin financime për qytetarët”, tha Arbjan Mazniku, shkruan A2.
Ndërsa Luçiano Boçi u shpreh: “Karta europiane e qeverisjes vendore përcakton qartazi që komunitetet kanë përfaqësuesin e tyre politik. Sa mirë u tha nga dikush këtu që zonat që kanë deputetin shkojnë te deputeti. Por, çfarë është deputeti? Përfaqësues politik. Çfarë është anëtari i Këshillit Bashkiak? Përfaqësues politik. Çfarë është kryetari i Bashkisë? Përfaqësues politik. Ja pra, që duhet dhe përfaqësimi. Nuk është opsionale, është thelbësore. E ofrojmë ne këtë parim europian meqenëse do aplikojmë për fondet? Ne nuk do presim këtë moment për të fituar projekte. Në çdo moment bashkitë, njësitë bashkiake mund të fitojnë projekte sepse rasti i Kroacisë e dëshmon. Ka bashki të vogla, 556, ka 3 milionë banorë dhe ka fituar miliarda projekte për shkak se ka bashki të forta”. (A2 Televizion)