“Protestat mund të bëhen më mirë”, Berisha: Kemi plagosur politikisht Ramën, do të vijojmë

Nga Anesti Barjamemaj
16 Maj 2026, 17:26 | Politikë

Sali Berisha pranoi se protestat e Partisë Demokratike nuk janë organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe premtoi se do të ndryshojë strategji në tubimet e ardhshme.

Gjatë një komunikimi me qytetarët në mediat sociale, Berisha u përball me kritika nga qytetarët të cilët kërkuan më shumë qëndresë në bulevard dhe jo manifestim pak orësh, shkruan A2.

“Mund të organizohet më mirë protesta, por protestat kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm. Protestat bënë që Edi Rama të jetë në rrethin e kuq, të udhëtojë i plagosur”, tha Berisha.

Por, pavarësisht se edhe vetë kritikon mënyrën e të bërit protestë, Berisha i cilëson të suksesshme: “Nëse nuk ishin kryengritjet tona paqësore, AKSHI do lihej në harresë”.

Konsensusi i arritur në Parlament me Partinë Socialiste ishte një shqetësim që u ngrit disa herë nga qytetarët, të cilët i kërkuan shpjegime Berishës se përse bashkoi votat me kundërshtarin politik.

Teksa pohoi se nuk bëhet fjalë për asnjë marrëveshje me Ramën, lideri demokrat tha se për integrimin nuk do të kenë asnjë votë kundër: “Nëqoftëse nesër do të pyeteshin se pas pesë muajsh Shqipëria do të integrohet në Bashkimin Europian kështu siç është, ne nuk votojmë kundër integrimit të Bashkimit, sepse kjo nuk është çështje e luftës ndërpartiake, kjo është çështje e shoqërisë shqiptare, kombit shqiptar, duke, duke insistuar se integrimi duhet të jetë një proces i bazuar në meritë”.

Berisha sqaroi edhe pse demokratët po marrin pjesë në mbledhjet për reformën zgjedhore dhe atë administrativo-territoriale, ku pohoi se kjo është një kërkesë që vjen nga qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos