“Shqipëria Bëhet” nuk do të bashkëpunojë më asnjë nga partitë politike “që i ka hyrë në hak shqiptarëve”, referuar klasës së vjetër politike . Për këtë, drejtuesi i kësaj lëvizjeje, Adriatik Lapaj garantoi në studion e A2 CNN se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me partitë e vjetra politike. Mirëpo, e la të hapur mundësinë për t’u bashkuar me lëvizjet e tjera si “Nisma Thurje”, Lëvizja Bashkë, por theksoi se “nuk do i lutet askujt”.
“Nuk do ketë asnjë marrëdhënie, asnjë flirt sysh me asnjë subjektet e vjetra në vend, e garantojmë 100%, të hapur për bashkëpunim vetëm me subjekte që nuk kanë pasur vendimmarrje në këtë vend, cilat janë subjektet që nuk i kanë hyrë në hak shqiptarëve, kemi qenë të hapur për të krijuar një front qytetar të madh, por për t’i lutur nuk i lutemi askujt”, u shpreh Lapaj.
Për këtë, zbuloi në Ditarin e Pasdites me Bruna Çifligun, se ka nisur negociatat, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.
“Jam duke punuar në këtë drejtim”, përfundoi Lapaj.
Nuk dha shifra se sa vota synon të marrë, por shtoi se në garë hyn për të fituar.
“Unë hyj për të fituar, sa dhe si e vendosin qytetarët, kjo nuk varet vetëm nga unë apo ekipi, por edhe nga qytetarët”, përfundoi Lapaj.
Ndalur te etiketimet si “populist”, ai tregon se kjo vjen prej atyre njerëzve që i tremben lëvizjes “Shqipëria Bëhet” . Sipas tij, ai nuk është populist, por realist. (A2 Televizion)