Gazetari Bledian Koka, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, theksoi se lëvizja e Ervin Salianjit brenda Partisë Demokratike është diçka “shumë e shëndetshme”.
“Ervin Salianji, i cili është njeriu që prodhoi atë që mund ta quajnë krizë, por për mua nuk është krizë, përkundrazi, është një gjë shumë e shëndetshme që po ndodh në Partinë Demokratike. Sepse vetëm në Shqipëri debatit brenda një partie i vihet emri krizë dhe jo emri real, që është funksionimi i demokracisë”, tha Koka.
“Ka shkëmbime tonesh të larta, por po flitet për partinë. Nuk mund t’i themi krizë kur zihen brenda PD-së, ndërkohë që heshtjes në PS, faktit që Edi Rama ia futi Erion Veliajt, aty punon drejtësia. Pastaj, kur del PD-ja në protestë, thuhet që aty është mishërimi i krizës”, shtoi Koka.
Sipas tij, “shkohet shumë kollaj te kritika e PD-së”.
“Është parti që nuk funksionon shumë mirë dhe unë kam kritikat e mia për PD-në. Sot duhet të kishte një përgjigje zyrtare ndaj kërcënimit të Taulant Ballës për reformat zgjedhore dhe territorial”, theksoi Koka.
(A2 Televizion)