
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se është i pashqetësuar nga takimet që kanë realizuar disa nga figurat e PD. “Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them. Procesi i analizës së brendshme ka nisur, janë bërë gjithë udhëzimet. Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubisë. Diversitet mendimi në këtë parti ka pasur ka dhe do ketë sa kohë kjo të mbetet Parti Demokratike”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Kreu i PD tha se njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament, ndërsa kandidatët e listae të hapura i quajti “njerëz të nderuar”. “Janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili. Ervin Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres çdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu, të jem i sinqertë”. (A2 Televizion)