“Libri i zi i Rilindjes” i botuar nga Departamenti Brain Gain pranë Partisë Demokratike u prezantua këtë të enjte në selinë blu. Për hartuesit e këtij studimi, libri është një manual kundër mazhorancës aktuale.
Drejtuesi i Brain Gain, Andi Mustafaj, pohoi se ky libër është jo vetëm një ndihmë për Partinë Demokratike se si të sillet nëse vjen në pushtet pas 11 majit, por më shumë vlen për demokratët e thjeshtë.
“Ne ndërtojmë këto manuale, këto udhëzuese, për t’i dhënë çdo demokrati mjetin që betejën ta çoj në biseda private, në punë në shtëpi, në fushë dhe kudo tjetër”, tha ai.
“Libri i zi është një pasqyrë e realitetit të hidhur, një listë e gjatë e dështimeve, mashtrimeve dhe dëmeve që kjo qeveri i ka shkaktuar Shqipërisë”, tha Neada Stana, anëtare e Brain Gain.
Sali Berisha pasi e shfletoi studimin dha vlerësimin e tij duke pohuar që në titull tregohet esenca. “Kanë zgjedhur një titull shumë të merituar. Kanë zgjedhur ndoshta të vetmin titull që meritonte ky subjekt, kjo tematikë, kjo çështje. Diktaturat meritojnë vetëm libra të zi”.
Sipas liderit demokrat ky studim tregon edhe një pasqyrë të qartë se si po abuzohet me paratë e shqiptarëve. “Paratë janë para dhe qytetarët duhet ta dinë se ku do gjenden. Cilido që lexon Punët e Zeza të këtij regjimi, e sheh se paratë janë, por u vidhen shqiptarëve, u plaçkiten shqiptarëve, nuk u jepen shqiptarëve”.
Duke u frymëzuar nga vendimet e Donald Trump, premton se nëse në 11 maj vijnë në pushtet do të bëjnë një audit të përgjithshëm për çdo para të shpenzuar. “Ndaj dhe Libri i Zi, jo vetëm u paraqet shqiptarëve të zezat e këtij regjimi, por Libri i Zi paraqet para shqiptarëve potencialet e mëdha që ekzistojnë për PD-në, domosdoshmërinë e një auditi të tipit Elon Musk në mënyrë që t’u kthehen paratë shqiptarëve dhe Shqipërisë”.
Pastrimi i shtëpisë do të jetë një nga shtyllat themelore të PD, pohoi Berisha, duke nënvizuar se do ndiqet çdo qindarkë e vjedhur për t’ua kthyer më pas shqiptarëve. (A2 Televizion)