Një gjeni të kombit shqiptar e cilësoi Sali Berisha, Ibrahim Rugovën, arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Në promovimin e librit Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë figura të shquara nga Kosova e Shqipëria, Berisha lartësoi figurën e Presidentit të parë të Kosovës duke e krahasuar me Skënderbeun dhe Nënë Terezën.
“Rugova ishte një gjeni i kombit shqiptar, një gjeni i papërsëritshëm, siç është Skënderbeu në beteja dhe strategjinë e tij. Siç është Nënë Tereza në forcën e jashtëzakonshme të moralit dhe parimeve që besonte. Siç është Ismail Kadare në veprat e veta. Ibrahim Rugova është në politikë”.
Kreu i Partisë Demokratike pohoi se Rugova është një nga atdhetarët më të mëdhenj të kombit, duke e cilësuar jo vetëm si politikan por qëndrestar dhe misionar.
“Më rrafshin filozofik, Ibrahim Rugova është shtetari i habive të mëdha. Ky pasardhës i një familje atdhetare, i një familje qëndrestare, zgjodhi në krye të radhës jo pushkën, por gandizmin. Zgjedhje të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë ndonjë shqiptar në histori”.
Berisha shtoi se rrugëtimi i Kosovës drejt pavarësisë nuk do ishte bërë i mundur pa punën e Rugovës.
“Arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur. Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur. Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov”.
Libri më i fundit për Ibrahim Rugovën, ku përfshihen studime, analiza e fjalime të Presidentit të parë të Kosovës është shkruar nga Besa Tafilaj dhe Korab Kastrati. (A2 Televizion)