Sulmon një tjetër gjykatës, Rama: Pengoi çlirimin e “tokës së xanun”, nuk heshtim më ndaj drejtësisë

Nga Fjorela Beleshi
22 Gusht 2025, 13:41 | Politikë

Kryeministri Edi Rama vijon sulmin ndaj përfaqësuesve të drejtësisë, duke i etiketuar si pengesë për vijimin e aksionit të qeverisë për çlirimin e hapësirave publike.

Me anë të një fotoje të një biznesi të publikuar në rrjetet e tij sociale, shefi i qeverisë ka etiketuar me emër dhe mbiemër një gjyqtar që i ka dalë kundër vendimit për prishjen e këtij objekti në Tiranë.

"Çfarë duhet të ketë ngrënë gjyqtari Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj ‘toke të zënë’? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjyqtar deri tani që i ka rënë ndesh haptazi interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve dhe në funksion të Shqipërisë 2030 në BE", tha Rama.

Në këtë mandat të katërt, Rama u shpreh se nuk do të ketë më një mazhorancë qeverisëse që do të respektojë çdo vendim gjykate, një postulat që është “bërtitur” fort të paktën gjatë mandatit të tretë. Këtë ai e bëri të qartë kur tha se nuk do të heshtë më për vendimet e drejtësisë, sidomos kur ato bien ndesh me pushtetin ekzekutiv.

"Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur, asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet, zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut”, tha Rama.

Ai shtoi se edhe për gjyqtarin Demiri do t’i drejtohen organeve të pavarura të qeverisjes dhe të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokuroren Gjeli dhe për gjyqtarin Balliu.

Përveç sulmeve, shefi i qeverisë nuk e fshehu pakënaqësinë me punën e deritanishme të prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke u kërkuar atyre që të dalin jashtë “zonës së rehatisë” dhe të përkushtohen realisht ndaj Reformës në Drejtësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos