
Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto nga komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij, që përkon edhe me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Sot kujtojmë edhe 70-vjetorin e lindjes së Adem Jasharit, heroit që lindi në Ditën e Flamurit dhe u kthye në flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare”, shkroi Rama në postimin e tij në Facebook, përcjell A2 CNN.
Adem Jashari ishte një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës shqiptare në Kosovë dhe bashkë-themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai u lind më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt dhe u angazhua herët në lëvizjen për çlirim kundër regjimit serb.
Për shumë vite ishte i ndjekur nga forcat serbe për aktivitetet e tij ilegale. Më 5–7 mars 1998, gjatë një operacioni të madh të forcave serbe, Adem Jashari, së bashku me pjesën më të madhe të familjes së tij, u vra në rrethimin e shtëpisë së tij në Prekaz. Rënia e tij u shndërrua në simbol të sakrificës dhe rezistencës së Kosovës për liri dhe pavarësi. (A2 Televizion)