Lobimi 6 mln dollarë në SHBA, Celibashi nuk komenton, i jep kohë demokratëve

Nga Ervin Koçi
29 Prill 2025, 15:33 | Politikë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve refuzoi të jepte një qëndrim mbi kontratën e lobimit të PD-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A2 CNN e pyeti Ilirjan Celibashin nëse një fondacion i huaj mund të bëj një pagesë në emër të një subjekti politik shqiptar, referuar edhe parashikimit të nenit 21 të ligjit për partitë politike, por kreu i KQZ-së zgjodhi të mbante një pozicion neutral duke i dhënë kohë demokratëve.

Ilirjan Celibashi doli përpara kamerave për të njoftuar se KQZ ka nisur zyrtarisht testimi ne pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik, por interesi mediatik ishte tjetër vend.

“Zoti Komisioner a lejohet që një fondacion i huaj të bën një pagesë në emër të një partie politike shqiptare? I referohem kontratës së lobimit të PD-së?”

Kësaj pyetje të A2 CNN, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve refuzoi t’i jepte një përgjigje dhe zgjodhi të mbante një qëndrim neutral.

“Më vjen keq por nuk mund të komentoj një rast konkret. Kur ta kemi momentin e vlerësimit dhe shqyrtimit do t’ua bëj me dije patjetër”.  

Celibashi duket se preferoi të mos citonte ligjin, ndonëse referencat nuk mungojnë, si në rastin e Nenit 21 të ligjit për partitë politike. 

“Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga qeveri dhe nga ente publike ose private të huaja, si dhe nga ente vendase publike ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror. Lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti ose bashkime ndërkombëtare partish, nga organizata e fondacione politike, vendase e të huaja, si dhe nga individë, persona fizikë e juridikë privatë vendas". 

Kryekomisioneri nënvizoi se demokratët kanë mjaftueshëm kohë për të shpjeguar zyrtarisht mënyrën e përfitimit të këtij donacioni.

“Nuk ka asnjë detyrim për këtë subjekt dhe për këto subjekt tjetër që të depozitojnë në KQZ deklaratat. Që do të thotë ne nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk kemi asnjë lloj detyrimi për t’ia kërkuar PD në këtë moment. Ka afat deri dy muaj pas datës së shpalljes së rezultatit përfundimtar”.

Mbetet për t’u parë nëse pagesa e parë e lobimit, në shumën prej 750 mijë dollarësh, do të konsiderohet apo jo si donacion financiar në momentin e shqyrtimit të rastit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos