"Luftë monopoleve"- Dash Shehi te Tregu i Medresesë: Biznesi i madh po ha të voglin! Këtu duan të prishin dyqanet dhe të bëjnë pallate

Nga A2 CNN
27 Prill 2025, 15:21 | Politikë

Drejtuesi i koalicionit 'Djathtas për Zhvillim', deputeti Dashamir Shehi, është shprehur se bizneset e vogla dhe të mesme po shkojnë drejt falimentimit.

Komentet Shehi i bëri gjatë një takimi me qytetarët dhe bizneset në zonën e Tregut të Medresesë në Tiranë, ku tha se ashtu siç kanë bërë me çdo treg tjetër, oligarkët dhe qeveria në të ardhmen do të përpiqen ta prishin edhe këtë treg, për të ndërtuar pallate.

Shehi shtoi se në ditët e sotme bizneset e mëdha po 'hanë' bizneset e vogla dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë koalicionin 'Djathtas për Zhvillim', pasi sipas tij, ata kanë në program luftën e pamëshirshme kundër monopoleve.

Ai tha gjithashtu se sa më shumë mandate deputetësh të marrë në zgjedhje ky koalicion, aq më shumë ndikim do të ketë në Parlament dhe qeverinë e ardhshme, për të mbrojtur bizneset e vogla dhe të mesme.

Pjesë nga fjala e Shehit:

Shofim fatkeqësisht që biznesi ka rënë. Fatkeqësisht turp është me e thënë, por këtu xhiro më shumë bën gabi sesa dyqanet e rrobave të reja. Kjo është një shenjë se ku po shkon kjo ekonomi. 

Këtu mirë apo keq hanë bukë rreth 1 mijë vetë. Oferta jonë duhet shpjeguar dhe thjeshtuar që të mbërrijë deri te këto njerëz. Oferta jonë thotë lijini këta njerëz të punojnë, hiquani taksat dhe thyejini monopolet. 

Për disa kohë ato grupet e mëdha do të vijë dita do i bëjnë pallate këto, këtu do jemi. Do vij dita, te zgjedhjet e tjeta të jeni të sigurt për këtë punë. Siç ka avancuar që bënë pallate tregjet e tjera, do të vijë dita edhe këtu, sepse ai biznesi i madh po e ha të voglin. 

Edhe kësaj qeverie, asaj që do vijë, ne të parëve, na takon të gjejmë një ekuilibër mes këtyre dy grupeve, atij që ka para shumë dhe atij që ka hallexhinj shumë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos