Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka rrëfyer në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin tensionet e forta brenda Partisë Socialiste në vitin 2008, kur u miratuan ndryshimet kushtetuese që, sipas tij, “hodhën farën e partive autokratike”.
Malaj zbuloi se, gjatë një mbledhjeje të zgjatur me Edi Ramën, kishte kërkuar që ndryshimet të shoqëroheshin me opinione profesionale nga ekspertë të së drejtës kushtetuese. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh, ndaj ai refuzoi t’i votonte ndryshimet, të cilat sot i konsideron si pikënisje e dobësimit të demokracisë së brendshme të partive.
Duke komentuar 12 vitet e fundit të qeverisjes së Ramës, Malaj deklaroi se kryeministri nuk ka dashur të dëgjojë, pavarësisht problemeve të qarta të qeverisjes. Ai vlerësoi rolin e SPAK, duke e cilësuar atë si strukturën më efektive të shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, i mbështetur nga të gjithë deputetët e Parlamentit. Sipas tij, disa zyrtarë të arrestuar sot janë produkt i vendimeve të guximshme të SPAK-ut.
Sa i përket çështjes së dorëheqjeve të zyrtarëve nën hetim, Malaj solli shembullin e ish-ministrit Luan Rama, i cili u largua për shkak të presionit publik pas një incidenti me gazetarët. Në këtë kontekst, ai theksoi se integriteti është test i vërtetë në kohë krize dhe se Rama duhet të vendosë standarde të qarta, sidomos kur bëhet fjalë për ministra nën hetim.
Malaj u shpreh se Rama e ka të humbur betejën me drejtësinë, pasi sistemi gjyqësor është i ngritur mbi standarde evropiane dhe nuk mund të ndikohet. Sipas tij, kryeministri po tepron me sulmet verbale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke dëmtuar balancën e pushteteve, shkruan A2 CNN.
Ai paralajmëroi se nëse mandati i katërt i qeverisë kthehet në “fotokopje të të mëparshmëve”, situata në vend do të përkeqësohet. Malaj zbuloi gjithashtu se në librin që po shkruan për integritetin politik, Edi Rama do të zërë një vend të veçantë si figurë “antagoniste”, duke përfshirë të gjitha përplasjet që kanë karakterizuar raportin e tyre politik ndër vite. (A2 Televizion)