Grupi parlamentar socialist nuk ka një qëndrim politik zyrtar mbi çështjen e mandatit të koleges së tyre Olta Xhaçka, një strategji kjo që duket se do ta lërë në vullnetin e secilit deputet nëse do të votojë pro dërgimit të dosjes pranë Gjykatës Kushtetuese, shkruan A2 CNN.
Pas mbledhjes së grupit, Niko Peleshi tregoi se rekomandimi që maxhoranca ka dorëzuar në tryezën e kryeparlamentares Spiropali nuk ndryshon në thelb me atë të opozitës, e cila nga ana tjetër ka kërkuar votë pro vendimit të Gjykatës.
Në radhë pas Xhaçkës është edhe mandati i deputetit tjetër socialist Vullnet Sinaj, ndaj për të shmangur në të ardhmen betejat me Kushtetuesen, maxhoranca do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për kompetencat e deputetëve në të tilla raste.
Pozita nuk është ende e qartë nëse deklaratat e demokratëve për rihapjen e dialogut për reformën zgjedhore përbëjnë një kërkesë seriozë apo vetëm një pretekst elektoral. Për momentin derën e mbajnë hapur, shkruan A2 CNN.
Të premten në orën 10:00 Kryeministri Edi Rama do të mbledhë deputetët socialistë në Elbasan me fokus komunikimin në rrjetet sociale dhe nismat e maxhorancës në Parlament, me në krye superkomisionin e Fatmir Xhafajt. (A2 Televizion)