Kështu deklaroi, Sali Berisha në konferencën e fundvitit me median, teksa publikoi një dokument të cilin e referoi si bileta e udhëtimit të Veliajt drejt Shteteve të Bashkuara, e cila parashikon kthimin e tij në Tiranë në 17 Janar dhe jo natën e ndërrimit të viteve siç ka deklaruar qytetari i parë i Tiranës.
Ai hodhi dyshime se Veliaj mund të kërkojë azil politik, duke përdorur si alibi luftën politike me opozitën.
“Deklaroi se do rrinte dy ditë. I bëj thirrje organeve ligjzbatuese të SHBA që të bëjnë gjithçka për kthimin e tij në Tiranë nëse tenton të kërkojë azil politik. Nuk mund të përdorë SHBA për akte të tilla fuxhitive. Kë do takojë ai? SHBA të marrin çdo masë për kthimin e tij në Shqipëri nëse tenton të devijojë fluturimin apo të zgjasë kohën e qëndrimit”, tha kreu i PD, Sali Berisha.
Duke komentuar thirrjen e Veliajt në SPAK, lideri demokrat pohoi se dëshmitë e dhëna para prokurorëve kanë qenë kontradiktore.
“Prokuroria në mënyrë bizare, deklaroi i kemi të vërtetuara, unë e di që i kanë. Ai thotë se më tradhtuan, kemi bërë deklarata nën presion. Në seancën 5 orëshe ka rrëzuar ato që ka thënë në seancën 8 orëshe. SPAK i ka gjetur 60 mashtrime”, shtoi më tej Berisha.
Për Berishën viti 2024, ka qenë viti opozitës, por me më shumë optimizëm sheh të ardhmen gjatë vitit 2025.
“Opozita ecën e sigurt drejt 11 majit, në një fitore të vërtetë. Narkomazhoranca po shkon drejt një shkërmoqje të plotë, dhe në 11 maj nuk dihet nëse do ketë nam apo nishan”.
Lidhur me zhvillimeve brenda Partisë Demokratike dhe procesit të përzgjedhjes së kandidatëve përmes primareve, Berisha pohoi se do të zhvillohen dhe njëkohësisht do të vijojë dhe mosbindja civile. (A2 Televizion)