Drejtuesi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, zbuloi sot katër skenarët e PS për Reformën Territoriale, raporton gazetarja e A2CNN Fiorela Beleshi.
Te skenari i parë bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të mëdha, ndërsa në skenarin e dytë parashikohen bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve.
Në skenarin e tretë forcohet roli i qarkut me zgjedhje të drejtpërdrejtë, ndërsa në skenarin e katërt krijohen katër rajone strategjike.
Një nga objektivat kryesore të kësaj reforme nga socialistët thuhet se është bërja e bashkive efikase, "kapacitet real për shërbime cilësore, të ardhura të qëndrueshme dhe investime afatgjata, jo njësi që nuk mbulojnë as kostot operative". Po ashtu me rëndësi është që bashkitë e reja të jenë funksionale në hapësirën e BE, të ruajnë identitetin vendor, duke siguruar shërbime për qytetarët pavarësisht vendbanimit.
Katër skenarët:
Skenari 1: Konsolidimi Funksional: bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues. Avantazhi: zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues. Rreziku: mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.
Skenari 2: Konsolidim dhe Decentralizim: bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt. Avantazhi: dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfisht dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse. Rreziku: konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.
Skenari 3: Forcimi i Qarkut: ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë — funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë. Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi — shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian. Rreziku: kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.
Skenari 4: Rajonet Strategjike: bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së. Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore. Rreziku: tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë.
Asnjë skenar nuk u prezantua si zgjedhja përfundimtare, ndërsa grupit iu shpjegua se procesi kalon nëpër konsultime publike, dëgjesa në territor dhe dokument politik para se të arrihet te paketa ligjore.
(A2 Televizion)