
Anija luftarake amerikane “USS Tripoli”, me mijëra ushtarë në bord, ka mbërritur në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA-së, njoftohet përmes një postimi në rrjetin social X, raporton A2CNN.
Vendndodhja e saktë nuk është bërë e ditur, por kjo zonë përfshin një hapësirë të gjerë që shtrihet nga Afrika verilindore, në Lindjen e Mesme, deri në Azinë Qendrore dhe Jugore.
Sipas mediave amerikane, USS Tripoli pritet të udhëheqë një grup të gatshëm amfib që është dislokuar në Lindjen e Mesme. Ky formacion zakonisht përbëhet nga rreth 5,000 marinarë dhe trupa të marinës, të shpërndarë në disa anije luftarake.
Anija ishte më parë e vendosur në Japoni.
Në javët e fundit, administrata amerikane është përballur me pyetje në rritje nëse do të dërgojë trupa tokësore në rajon.
Pas një takimi të G7 të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi për gazetarët se Shtetet e Bashkuara mund t’i arrijnë objektivat e tyre në Iran “pa përdorur trupa tokësore”. (A2 Televizion)