Fotografia e një protestuesi të mbetur vetëm, ulur në trotuarin buzë Kryeministrisë, tërhoqi vëmendjen e Edi Ramës, i cili mëngjesin e kësaj të marte iu drejtua me një mesazh të gjatë në rrjetet sociale.
Toni dhe fjalët e zgjedhura nga kreu i qeverisë janë ato të një njeriu që nuk i qaset si armik, teksa i thotë se ia kupton hallin.
“Në këtë fotografi të trishtë unë nuk shoh assesi dështimin tënd. Shoh veten time dhe vështirësitë e hallet e tua. Po, sepse luftoj përditë dhe zemërohem jo pak me ata që nuk ua ndjen për ato vështirësi dhe jo vetëm nuk dinë të t’i qajnë hallet, por, më keq akoma, t’i përçmojnë, sikur ti të ishe një koment anonim në Facebook-un e tyre, e jo një rob Zoti me barrën e problemeve të tua në pragun e derës së shtetit tënd”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Protestuesit i shtrin dorën, teksa i thotë se e kupton mjaft mirë se çfarë do të thotë shija e tradhtisë nga ata të cilëve u ke dhënë besimin.
“Kjo e imja nuk është letra e dikujt që të qan hallin duke të parë nga lart apo nga larg. Është një letër e ndjerë respekti për ty që besove, luftove dhe mbete vetëm. Por, njëkohësisht, është edhe një shtrirje dore nga dikush që e di ç’do të thotë të ndihesh vetëm, kur besimi që jep shpërdorohet dhe lufta që bën tradhtohet.
Nëse një ditë do të kuptosh të vërtetën e thjeshtë se halli yt nuk është aspak larg hallit tim, atëherë mos i prit aty ata që do të kthehen përsëri në mbrëmje. Eja tek unë”, tha Rama.
Protestuesi në foto, i vetëidentifikuar në rrjetet sociale me emrin Erlis Sina, iu kundërpërgjigj Kryeministrit me një mesazh të shoqëruar me të njëjtin imazh.
“Unë nuk jam ti. Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë. Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve. Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi. Ti je. Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt. Ti nuk je viktima e halleve të mia. Ti je autori i tyre”, iu përgjigj ai.
Pas protestës së mbrëmjes të së shtunës, një prani simbolike ka qëndruar në trotuarin para zyrës së Kryeministrit edhe gjatë natës. (A2 Televizion)