Mbyllet drama Lapaj-Shabani, Kleana Xhuveli merr mandatin e "Nisma - Shqipëria Bëhet"

Nga Anesti Barjamemaj
23 Korrik 2025, 15:14 | Politikë

Kleana Xhuveli, kushërira e Adratik Lapajt, do të jetë përfaqësuesja e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet në parlament. Ilirjan Celibashi në një mbledhje që zgjati gati 4 orë, vendosi që të mos pranojë dorëheqjet nga kandidimi të pjesëtarëve të listës së mbyllur, duke rrëzuar kështu dhe pretendimet e përfaqësuesve të koalicionit se dorëheqjet janë miratuar në heshtje. 

“Përsa kohë KQZ s’ka marrë vendim për të refuzuar ose pranuar dorëheqjet, ato konsiderohen të miratuara në heshtje dhe ne kemi kërkuar konfirmimin e miratimit të heshtur. Zeqiri u pendua më 15 korrik, pas këtij afati”, tha Dorina Prethi, përfaqësuese ligjore e Shqipëria Bëhet.

“Pretendimi juaj se kandidatët e listës së mbyllur dhe dorëheqja është pranuar, nuk qëndron”, tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Sipas përfaqësuesve të “Nisma - Shqipëria Bëhet”, kandidatët e listës së mbyllur kanë shprehur dakordësinë edhe për të mos marrë mandatin, por Celibashi njohu dy revokimet që kishin bërë kandidatët Zeqir Kordhoni dhe Kleana Xhuveli, duke i dhënë mandatin kësaj të fundit. 

“Në rastin konkret, Klena Xhuveli ka pohuar se dëshiron të marrë mandatin, nëse ky do të jetë rasti, e ka bërë edhe Zerqir Kordhoni, por duke qenë se Kleana është renditur në listën e mbyllur të këtij koalicioni më sipër, vlerësoj që i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit të këtij koalicioni përsa kohë ajo e ka interesin për këtë”, tha Celibashi.

Vetë Kleana Xhuveli e ndoqi nga afër këtë mbledhje, dhe në një deklaratë për mediat pohoi se ajo nuk ka dashur që të marrë mandatin dhe paralajmëroi se beteja për të çuar në Kuvend Adratik Lapajn do të vijojë. 

“Jam aktiviste e Lëvizjes Shqipëria Bëhet. Nuk u futa në garë që të shkoj në Kuvend, por garanci që listat e mbyllur të digjeshin, dua të theksoj që do ta përfaqësoj denjësisht mandatin e 80 mijë shqiptarëve, deri ditën kur beteja do ta kthejë tek njeriu më i votuar i listës sonë, Adriatik Lapaj", deklaroi Kleana Xhuveli.

Kryekomisionieri shpërndau edhe 36 mandatet e tjera të qarkut Tiranë mes forcave të tjera politike. Celibashi njohu 12 dorëheqjet nga marrja e mandatit të kandidatëve të listës së mbyllur të Partisë Socialdemokrate dhe i dha mandatin Tedi Mulës, i pari më i votuar nga lista e hapur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos