Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka kryer krime ndaj njerëzimit në shëndetësi.
“Rrokullisja e këtij sistemi me shpejtësi të madhe, pushtimi i tij nga një mafie e egër, mafia më e pashpirt që ekziston, është mafia që pushton shëndetësinë. Duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm për këtë. OECD ka një sistem të vlerësimit të cilësisë së arsimit, PISA, dhe në atë sistem, nga një ngjitje vertikale, sepse sistemi ynë arsimor nuk ishte cilësor, por ama me reformat e ndërmarra ne arritëm një ngjitje vertikale, të fortë. Ngjitje, e cila për hir të së vërtetës, u kthye në rënie sapo përfundoi efekti i atyre viteve. Sapo u futën në vlerësim 8 vitet e narkodiktaturës, Shqipëria pati rënien më të madhe në botë, rënien prej 69 pikësh. Iu garantoj se po të kishte një sistem të tillë për shëndetësinë, kjo rënie do tejkalonte këtë të arsimit, por me një dallim shumë të madh. Kjo rënie nuk do ishte thjesht një rënie në cilësi, por një rënie e shoqëruar me krime kundër njerëzimit”, tha Berisha gjatë prezantimit të programit për shëndetësinë të Partisë Demokratike.
“Rilindja e Edi Ramës, njeriu që premtoi sistem shëndetësor falas, por me korrupsionin dhe mafien që vendosi, bëri që sot shqiptarët të paguajnë më shumë se çdo komb tjetër për shërbimin shëndetësor nga xhepi i tyre. Dhe jo vetëm kaq, bëri që me qindra të sëmurë, dhe këtu qëndron krimi kundër njerëzimit, të vdesin jo nga sëmundjet, por nga mungesa e ilaçeve që do zgjasnin jetën e tyre, do i shpëtonin ato. Mungesa e ilaçeve, jo se ky vend e kishte të pamundur t’i blinte, jo, absolutisht, jo se ky vend ishte në izolim të plotë dhe nuk ia shisnin, por sepse fondet për këto ilaçe vidheshin, vidheshin dhe vetëm vidheshin. Dhe këto janë krime kundër njerëzimit. Edi Rama, dje, tha se ajo që ka ndodhur në onkologjik është një krim i rëndë. Në krye të këtij krimi qëndron vetë ai, qëndrojnë ministrat e tij, që shënojnë rekordet më të zeza”.
Berisha nuk i kurseu sulmet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Kurrë ndonjëherë ajo ministri, as në diktaturë, nuk është drejtuar nga hajdutë dhe injorantë siç është drejtuar gjatë këtyre viteve. Do të më falni, cilido që ka njohur Ilir Beqën, në rini dhe fëmijëri, e ka njohur si debil. Po, ua them haptas këtu dhe më vjen keq që flas në këtë mënyrë. Por një hajdut, siç do thoshte një punonjës i ndershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, si ky hajdut, kjo ndërtesë nuk ka pasur kurrë”.
“Po të marrësh numrin e mjekëve për frymë, ne kemi zbritur ka rrezik në vitet ’60. Sot, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri është tre herë më e lartë se në Mal të Zi. Sot kemi 2.5 herë mjekë dhe infermierë më pak për frymë për 1 mijë banorë. Pra, ne kemi bërë nj rrokullisje. Sot ne shpenzojmë 5 herë më shumë nga xhepi se sa gjermani, francezi apo italiani për kujdesin shëndetësor”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)