Me prodhuesit e bimëve mjekësore, Berisha: Subvencionim i të gjithë procesit deri ne eksport

Nga A2 CNN
17 Prill 2025, 15:17 | Politikë

Sali Berisha zhvilloi një takim me prodhuesit e bimëve medicinale, me të cilët ndau disa pjesë të programit të Partisë Demokratike që lehtësojnë këtë sektor.

“Ne konsiderojmë sektorin e bujqësisë një sektor të rëndësisë parësore për realizimin e këtij projekti. Dhe jemi zotuar për një përmbysje të plotë të sistemit aktual, të qëndrimit të këtij sistemi ndaj bujqësisë, blegtorisë, bimëve aromatike, etj. Ne do të dyfishojmë buxhetin për këtë sektor dhe do të katër ose pesëfishojmë subvencionin për fermerët. Do të subvencionojmë çdo hektar të mbjellë, çdo kokë bagëti dhe çdo fidan të mbjellë. Për ju si sektor i veçantë do të subvencionojmë çdo përpjekje tuajën për kultivimin, për mbledhjen, për grumbullimin, për përpunimin dhe eksportin. U garantoj se do jeni një sektor me përparësi absolute. Do subvencionohet fuqishëm i gjithë procesi gjer në eksport. Do krijohen lehtësi të mëdha logjistike të grumbullimit të këtyre bimëve. Do krijohen lehtësi të mëdha për industrinë e përpunimit të tyre në vend”.

Në përgjigje të shqetësimit mbi tarifat e vendosura nga SHBA, kryedemokrati deklaroi se do të negociohet me Uashingtonin për një politikë reciproke që i zeron këto tarifa. Në të kundërt, premtoi se shteti do t'i kompensojë ato plotësisht.

“Qëndrimi ynë ndaj tarifave është negociata me qeverinë e SHBA për zero tarifa. Ne do vendosim zero tarifa me kërkesën që qeveria amerikane të na përgjigjet edhe ne me zero tarifat. Supozojmë se qeveria amerikane për arsyet e veta nuk e adapton këtë, ne do u kompensojmë plotësisht tarifën e eksportit të vendosur nga vendet ku ju eksportoni”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos