Presidenti i Partisë së Lirisë u ka bërë ftesë mbështetësve të tij që të mblidhen në mbrëmje në hapjen e fushatës nga koalicioni Shqipëria Madhështore, shkruan A2 CNN.
“Asnjë izolim fizik sado ekstrem nga Narkoregjimi, nuk më ndal dhe nuk do të më ndalë në përballjen time për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e shqiptarëve nga dhuna e Narkoqeverisë, që ka zaptuar dhe plaçkit vendin. Sonte vetëm fizikisht nuk do të jem në shesh, por me të gjithë fuqinë e kauzës, do të jem krah jush në Sheshin "Nënë Tereza", në ora 19:00”, shkruan Meta në Facebook.
“Sonte është fillimi i betejes finale për çlirimin e çdo shqiptari, sonte starton fushata fitimtare që do të kurorëzohet më 11 Maj me Fitoren Madhështore të Lirisë kundër Narkoregjimit të dorëzuar në duart e krimit dhe korrupsionit! Sot të gjithë në shesh ku do gjëmojë zëri i qytetarëve për Shqipërinë Madhështore që meritojnë shqiptarët e ndershëm, punëtorë dhe patriotë”.
Meta qëndron në qeli prej 21 tetorit të vitit të kaluar, kur u arrestua me urdhër të SPAK. Ai dyshohet për disa vepra penale, si korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave. (A2 Televizion)