Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dënuar sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. I shoqëruar nga avokati Genc Gjokutaj, ai zhvilloi sot një vizitë në Spitalin e Traumës, për t’u interesuar mbi gjendjen shëndetësore të avokat Sokol Mëngjesit, i cili u dhunuar barbarisht në mes të Tiranës.
Presidenti Meta u takua me bashkëshorten, prindërit dhe familjarët e Avokat Mëngjesit, të cilëve ju shprehu të gjithë solidaritetin e mbështetjen.
“Duke e dënuar me forcë këtë akt të qëllimshëm kriminal, që meriton ndëshkim të ashpër ligjor, Presidenti Meta ju uroi familjarëve shërim sa më të shpejtë të Avokat Mëngjesit”, thuhet në njoftimin e Partisë së Lirisë.
Gjithashtu, Meta u takua edhe me Shefin e kirurgjisë në Spitalin e Traumës, Gjovalin Bushi, i cili e informoi në detaje mbi gjendjen aktuale shëndetësore të avokat Mëngjesit, si dhe falënderoi të gjithë ekipin mjekësor për humanizmin dhe përkujdesjen e dëshmuar. (A2 Televizion)