
Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet e reja ligjore, të cilat sipas tij do të kalojnë nesër në mbledhjen e grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë.
Në nisje të episodit të radhës të podkastit “Flasim”, Rama u ndal në disa nga çështjet kryesore të javës, duke filluar me protestën e 10 shkurtit, për të cilën përdori tone të ashpra ndaj opozitës. Ai e cilësoi protestën si të dhunshme dhe akuzoi drejtuesit e opozitës për organizim të akteve të dhunës ndaj institucioneve dhe policisë.
Kreu i qeverisë komentoi gjithashtu kërkesën e Prokurorisë së Hagës për 45 vite burg ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mes tyre Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si “mizore” dhe “të padenjë”, ndërsa theksoi se akuzat nuk mbështeten në prova të qarta, shkruan A2 CNN.
Një tjetër çështje ku u ndal Rama ishte boshllëku ligjor i krijuar pas mosvendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për rastin e pezullimit të një ministri. Ai bëri të ditur se do të depozitohet një nismë ligjore me firmat e tij, të kreut të grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, për të sqaruar ndarjen e kompetencave mes pushteteve.
Kryeministri njoftoi edhe miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave për shërbimin zjarrfikës, duke theksuar se rritja përfshin indeksim për të gjitha gradat dhe shtesë për disa funksione, ndërsa kostoja do të përballohet nga buxheti ekzistues.
Po ashtu, Rama foli për Fondin Social Kombëtar 2026, duke theksuar se rrjeti i shërbimeve sociale është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit dhe se vitin e ardhshëm do të financohen 14 shërbime të reja për kategori në nevojë në disa bashki të vendit.
Ai bëri të ditur se ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të vizituar Uashingtonin në kuadër të themelimit zyrtar të Bordit të Paqes, ku Shqipëria do të jetë shtet themelues. (A2 Televizion)