
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni zhvilluan sot një dialog me nxënës e studentë në Durrës ku në fokus ishte rrugëtimi i të rinjve drejt BE dhe angazhimi i të rinjve shqiptarë. Kryediplomati shqiptar theksoi se konsideron rrugën e Shqipërisë drejt BE-së të pandashme nga angazhimi i të rinjve.
“Sot, së bashku me kolegen Adea Pirdeni, u ndalëm me brezin që do të formësojë të ardhmen europiane të Shqipërisë, në Durrës, nxënësit e Gjimnazit “Naim Frashëri” dhe studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Ishim të lumtur t’u përgjigjeshim interesit të gjallë dhe pyetjeve të tyre fort të menduara mbi reformat, pritshmëritë, avantazhet dhe imazhin e Shqipërisë, si dhe rolin e tyre në ndërtimin e një Shqipërie moderne dhe europiane, duke dëshmuar pjekuri, qartësi dhe ambicie. Ky takim konfirmoi edhe një herë se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pandashme nga energjia, vizioni dhe angazhimi i të rinjve, një garanci e fortë për një të ardhme europiane të pakthyeshme për vendin tonë”, thuhet në deklaratën për media të Hoxhës. (A2 Televizion)