Miratohen ndryshimet në Kuvend e qeveri, Rama “harron” Spiropalin, PDIU i “shkel syrin” PS gjatë votimit të ministrave

Nga Ervin Koçi
30 Korrik 2024, 22:54 | Politikë

Paqja politike zgjati vetëm pak ditë. Vendimi i Edi Ramës për të ndryshuar drejtimin e katër ministrive dhe zëvendësimi kryeparlamentares Lindita Nikollës bëri që deputetët të mblidheshin në një sesion të jashtëzakonshëm, duke rikthyer jetën parlamentare në rutinën e zakonshme.

Demokratët kishin ardhur të pagatitur për të debatuar për ndryshimet në qeveri, por këtë dëshirë, Lindita Nikolla nuk ia plotësi as për herë të fundit në krye të seancës plenare.

Tonet e ngritura të deputetëve opozitar nuk stepën mazhorancën në vijimin e votimit të ndryshimeve në qeveri. Ministrat e rinj ishin ulur në lozhat e sallës duke parë se si deputetët socialist i jepnin votat pro, ndërsa PDIU duket se po jepte sinjale për një bashkëpunim të mundshëm e PS pasi zgjodhi të abstenojë.

Kësisoj, Taulant Ballau ulu për herë të fundit në karrigen e Ministrit të Brendshëm, detyrë të cilën tashmë e mori Ervin Hoxha, Niko Peleshi zgjodhi të qëndronte krah deputetëve socialist pasi detyrën e Ministrit të Mbrojtjes e mori Pirro Vëngu, ndërsa Ervin Mete nuk u paraqit fare në parlament dhe karrigen e Ministrit të Financave e mori Petrit Malaj.

Pas ministrave radhën e kishte Elisa Spiropali për t’u votëbesuar, por përballë bllokadës opozitare, u vendos që nga fletët, procedura të kalonte në elektronikë të fshehtë.

Elisa Spiropali mori 75vota pro, por jo atë të Edi Ramës. Kryesocialisti së bashku me Belinda Ballukun zgjodhën të mos votonin, ndërsa katër deputetë ishin kundër. Interesant ishte fakti se në ekranin e votimi rezultoi se edhe Gazment Bardhi kishte marrë pjesë, në një kohë që ai ishte në foltoren e Kuvendit, pra dikush kishte votuar në emër të atij.

Nikolla u çua nga karrika e kryetares së kuvendit duke ia liruar Elisa Spiropalit, e cila fjalimin parë nuk e pati të lehtë.

Pavarësisht fjalëve, bashkëpunimi me opozitën duket se do të vijojë të jetë i vështirë pasi opozita është e mendimit se ndryshimet në qeveri i kishte kërkuar tjetër kush.

Me mbylljen e fjalës së Bardhit u mbyll edhe aksioni opozitar për këtë sesion parlamentar, i cili mesa duket ka qenë tepër intensiv për ta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos