Miratohen vendimet në Këshillin Bashkiak, Pallati i Kongreseve i kalon Qeverisë. Debate për kërkesat e Ramës dhe Veliajn

Nga A2 CNN
24 Korrik 2025, 16:19 | Politikë

Miratohen vendimet në Këshillin Bashkiak, Pallati i Kongreseve i kalon

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi këtë të enjte një sërë vendimesh, mes të cilave edhe ai për kalimin në përgjegjësi të qeverisë të Pallatit të Kongreseve, pasi godina do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni, raporton A2 CNN.

Miratimi i këtyre vendimeve u shoqërua nga debate. Këshilltari i opozitës, Ilir Alimehmeti, pyeti nëse brenda territorit të godinës do të ndërtohej ndonjë kullë e re, por kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, tha se nuk kishte asnjë informacion lidhur me këtë.

“Kështu thatë edhe për fushën rreth stadiumit Selman Stërmasi, prandaj kemi të drejtë të dyshojmë”, tha këshilltari demokrat, Dorian Teliti.

Miratohen vendimet në Këshillin Bashkiak, Pallati i Kongreseve i kalon

Këshilltarët e opozitës gjithashtu kërkuan që të futej në rend të ditës edhe çështja e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, për të cilin thanë se i duhej kërkuar Këshillit të Ministrave që ta shkarkonte.  “Veliaj tashmë nuk është më person nën hetim, por i pandehur”, tha Teliti.

Opozitarët kërkuan edhe që Këshilli Bashkiak të mbante një qëndrim për kërkesën e kryeministrit Rama për largimin e të gjithë drejtorëve dhe nënkryetarëve të bashkisë. “Na erdhi një e-mail nga zonja (Joleza, anëtare e PS në Këshillin Bashkiak) Koka, ku shprehte se ishte e shqetësuar për Palestinën. Por nuk thoni asnjë fjalë, për pushtimin që Edi Rama i ka bërë Bashkisë së Tiranës, duke shkelur ligjin për autonominë vendore”, tha këshilltarja tjetër e opozitës, Ilda Zhulali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos